
Një eksperiment i pazakontë në SHBA, i nisur në fund të viteve 1940, synonte të zbulonte nëse ishte e mundur të krijohej një qen më inteligjent se të tjerët përmes përzgjedhjes gjenetike. Por, siç shkruan BBC në një artikull mbi këtë projekt, studimi përfundoi duke vënë në pikëpyetje idenë se gjenet mund të përcaktojnë të vetme inteligjencën dhe sjelljen, duke ndihmuar edhe në rrëzimin e teorive të eugjenikës. Një projekt gjigant për të krijuar qenin “ideal” Në fund të viteve 1940, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, shkenca në SHBA po përjetonte një periudhë zhvillimi të shpejtë. Projektet kërkimore financoheshin me shuma të mëdha, ndërsa studiuesit kishin mundësi të eksploronin ide të reja. Një prej tyre ishte edhe projekti i njohur si “Shkolla e Qenve”, i zhvilluar në një fermë në shtetin e Mainit. Për këtë studim u vunë në dispozicion 632 mijë dollarë, një shumë që sot do të vlente afro 9 milionë dollarë. Për rreth 13 vjet, studiuesit ndoqën zhvillimin e më shumë se 500 këlyshëve të racave të ndryshme, mes tyre cocker spaniel, beagle, qen shetland, basenji dhe fox terrier me qime të ashpra. Që nga lindja, çdo këlysh vëzhgohej me kujdes. Studiuesit regjistronin reagimet e para ndaj zhurmave, përpjekjet për të ngrënë ushqim të fortë, lojërat me këlyshët e tjerë dhe lëvizjet e para të bishtit. Kur mbushnin pesë javë, këlyshët nisnin një seri testesh për të vlerësuar inteligjencën, sjelljen, reagimin emocional, dominancën dhe aftësinë për t’u trajnuar. “Sa herë që lindnin këlyshë të rinj, e dija që më duhej të ndiqja zhvillimin e tyre çdo ditë për 12 muajt e ardhshëm”, shkruante në vitin 1985 John Fuller, një nga studiuesit kryesorë të projektit. Synimi ishte t’u jepej përgjigje disa pyetjeve: A janë disa raca më inteligjente se të tjerat? A përcaktohet personaliteti nga gjenetika? Sa ndikojnë kujdesi prindëror dhe përvojat e hershme në zhvillimin e një qeni? Dhe, mbi të gjitha, a mund të krijohej një “qen superinteligjent” përmes përzgjedhjes gjenetike? Ng…